AVOKATIM E DREJTA FAMILJARE
Divorci në Shqipëri me dhe pa fëmijë
Nëse keni vendosur të ndaheni, dy pyetje ju ndihmojnë të zgjidhni si të veproni. A jeni të dy dakord për divorcin? Nëse keni fëmijë të mitur, a keni rënë dakord ku do të jetojnë, si do të takohen me secilin prind dhe si do t’i ndani shpenzimet e tyre? Përgjigjet përcaktojnë çfarë duhet t’i kërkoni gjykatës, cilat dokumente duhen dhe sa kohë mund të marrë procesi.
Si fillon procedura e divorcit
Kur të dy jeni dakord, paraqitni në gjykatë një kërkesë të përbashkët dhe një projektmarrëveshje. Në të përcaktoni si do të kujdeseni për fëmijët e mitur, kontributin për bashkëshortin në nevojë kur është rasti dhe, kur është e mundur, si do t’i rregulloni marrëdhëniet pasurore. Gjykata ju dëgjon fillimisht veçmas e më pas së bashku. Kur bindet se të dy e keni dhënë lirisht pëlqimin dhe se marrëveshja mbron interesat përkatëse, ajo zgjidh martesën dhe miraton marrëveshjen. Vetëm nënshkrimi para noterit nuk e zgjidh martesën në Shqipëri.
Kur divorcin e kërkon vetëm njëri, ai mund të paraqesë kërkesëpadi edhe nëse bashkëshorti tjetër refuzon të firmosë. Sipas nenit 132 të Kodit të Familjes, në padi duhen shpjeguar rrethanat që e kanë bërë të pamundur jetesën e përbashkët dhe për të cilat martesa ka humbur qëllimin e saj. Të tilla mund të jenë keqtrajtimet, fyerjet e rënda ose grindjet e vazhdueshme. Gjykata shprehet për fajësinë vetëm nëse e kërkon të paktën njëri prej bashkëshortëve.
Kur jetoni të ndarë prej tre vjetësh, neni 129 ju lejon ta mbështesni padinë te vetë ndërprerja e jetesës së përbashkët. Edhe në këtë rast duhet vendim gjykate. Për një divorc me marrëveshje ose për padinë e bazuar në nenin 132 mund t’i drejtoheni gjykatës pa pritur tre vjet. Kodi i Familjes, nenet 125–135
Në cilën gjykatë paraqitet padia
Brenda Shqipërisë, padinë mund ta ngrini në gjykatën e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm që mbulon vendbanimin tuaj të fundit të përbashkët ose vendbanimin e bashkëshortit që paditet. Kur i padituri nuk ka banim, vendqëndrim ose banesë të përkohshme në Shqipëri, padia ngrihet aty ku banon ose qëndron paditësi. Kur as paditësi nuk ka banim ose vendqëndrim në Shqipëri, neni 51 cakton gjykatën e kryeqytetit. Për familjet jashtë vendit verifikohet fillimisht nëse gjykatat shqiptare kanë juridiksion. Kodi i Procedurës Civile, neni 51
Kur bashkëshorti tjetër nuk paraqitet
Në padinë e njërit bashkëshort, gjykata cakton fillimisht seancën e pajtimit, ku ligji kërkon paraqitjen personale. Nëse paditësi është njoftuar rregullisht dhe nuk paraqitet, gjykata e pushon çështjen. Nëse mungon i padituri, gjykata përsërit njoftimin. Kur ai mungon përsëri pa shkak të arsyeshëm dhe gjyqtari, pasi dëgjon paditësin, bindet se pajtimi është i pamundur, çështja kalon për gjykim. Kodi i Familjes, nenet 134–135
Çfarë dokumentesh duhen për divorc
Për konsultën e parë, merrni certifikatën e martesës, dokumentin tuaj të identifikimit dhe adresën e saktë ku mund të njoftohet bashkëshorti tjetër. Nëse ai jeton jashtë vendit, jepni adresën e plotë bashkë me kodin postar. Për dosjen e gjykatës, shtoni dokumentet që lidhen me rastin tuaj. Dokumentet orientuese sipas ADISA-s
Me marrëveshje. Kërkesa e përbashkët, projektmarrëveshja dhe dokumentet e identifikimit të bashkëshortëve.
Me kërkesën e njërit. Kërkesëpadia, provat për faktet ku mbështeteni dhe, kur duhen dëshmitarë, të dhënat e tyre dhe faktet që mund të vërtetojë secili. Nëse një provë ndodhet te pala tjetër apo te një institucion, mund t’i kërkoni gjykatës ta marrë, duke shpjeguar ku gjendet dhe pse ka rëndësi.
Me fëmijë të mitur. Certifikatat nga aktet e lindjes, si dhe, sipas çështjes, certifikata familjare, të dhënat për banimin e shkollimin, vërtetimet e të ardhurave dhe dokumentet për shpenzimet e fëmijës. Një listë mujore me shpenzimet e kopshtit, transportit ose trajtimit mjekësor e bën më të qartë kërkesën për pension ushqimor.
Me kërkime për banesën ose pasurinë. Dokumentet e pronësisë, kontrata e blerjes, e kredisë ose e qirasë dhe provat e pagesave, sipas asaj që i kërkoni gjykatës.
Për depozitimin. Kur padinë e paraqet përfaqësuesi, bashkëngjitet prokura. Përgatiten kopjet për palën e paditur dhe dëshmia e pagesës së tarifës kur ajo paguhet. Për dokumente të lëshuara jashtë vendit, kontrolloni përkthimin në shqip dhe nëse kërkohet apostilë ose legalizim. Kodi i Procedurës Civile, nenet 154–156 · Udhëzimi i Ministrisë për dokumentet e huaja
Pse të këshilloheni me avokat para se të firmosni
Në shkallë të parë mund të paraqiteni vetë. Vlera e avokatit del sidomos te ajo që nënshkruani sot dhe duhet ta zbatoni më vonë. Fjalia “prindi e takon fëmijën me mirëkuptim” mund të funksionojë derisa të dy prindërit të duan të njëjtën fundjavë. Avokati ju ndihmon të përcaktoni oraret, vendin e marrjes dhe kthimit, pushimet dhe mënyrën e pagesës së detyrimeve. Nëse keni banesë ose kredi të përbashkët, ai shqyrton edhe pasojat e çdo klauzole para se të hiqni dorë nga një pretendim.
Në një gjykim me kundërshtime, avokati përgatit kërkimet, përcakton provat dhe ju përfaqëson në seancat ku lejohet përfaqësimi. Në divorcin me marrëveshje, ligji parashikon që gjykata t’ju dëgjojë personalisht të dyve. Kodi i Procedurës Civile, nenet 22–23 · Kodi i Familjes, neni 126
Çfarë vendos gjykata kur keni fëmijë të mitur
Gjykata shqyrton me cilin prind do të jetojë fëmija, si do të ruhen marrëdhëniet me prindin tjetër dhe sa do të kontribuojë secili për rritjen e tij. Përpara se të vendosë, qoftë edhe përkohësisht, për përgjegjësinë prindërore, besimin e fëmijës ose takimet, gjykata duhet të thërrasë një psikolog ose punonjës social. Ajo merr parasysh edhe mendimin e fëmijës sipas moshës dhe zhvillimit të tij.
Sa është pensioni ushqimor? Shuma caktohet duke vlerësuar nevojat konkrete të fëmijës dhe mundësitë ekonomike të prindërve. Për shembull, nëse fëmija ka një trajtim të rregullt mjekësor, dokumentoni koston mujore dhe sqaroni kush e paguan aktualisht. Prindi me të cilin fëmija nuk banon ruan, sipas ligjit, të drejtën për t’u informuar dhe konsultuar për zgjedhjet e rëndësishme në jetën e tij. Kodi i Familjes, nenet 154–162 dhe 201
Sa zgjat divorci me dhe pa fëmijë
Koha llogaritet këtu nga depozitimi deri te vendimi i shkallës së parë. Për planifikim ka rëndësi nëse palët bien dakord, nëse njoftohen në kohë dhe kur cakton seancë gjykata që do të shqyrtojë dosjen.
Pa fëmijë të mitur, me marrëveshje. Për një dosje të thjeshtë, me dokumente të plota dhe kur të dy paraqiten, një orientim praktik i zyrës është rreth 1–6 muaj. Data konkrete varet nga kalendari i gjykatës.
Me fëmijë të mitur, me marrëveshje. Llogaritni disa muaj edhe kur bini dakord. Duhet kohë për vlerësimin e kushteve të fëmijës. Nëse marrëveshja nuk mbron sa duhet fëmijët ose njërin bashkëshort, gjykata e pezullon gjykimin për tre muaj që ta korrigjoni. Kodi i Familjes, neni 128
Me kundërshtime. Një çështje, edhe pa fëmijë, mund të zgjasë disa muaj dhe të kalojë një vit. Njoftimi jashtë shtetit, mosmarrëveshja për banimin e fëmijës, marrja e provave ose shtyrja e seancave ndikojnë drejtpërdrejt te koha.
Sipas raportit të Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ), në Shqipëri divorcet me palë kundërshtare zgjatën mesatarisht 220 ditë, rreth shtatë muaj, në shkallë të parë në vitin 2024. Raporti nuk jep mesatare të veçanta për çiftet me dhe pa fëmijë. Këshilli i Evropës, të dhënat për Shqipërinë
Kur jetoni jashtë Shqipërisë
Nëse fëmija jeton dhe ndjek shkollën jashtë, tregojani këtë avokatit para se të planifikoni udhëtimin. Në një çështje ku fëmijët kishin lindur dhe shkonin në shkollë në Greqi, Gjykata e Lartë la në fuqi nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit shqiptar. Rëndësi ka vendi ku zhvillohet realisht jeta e fëmijës. Edhe kur të dy prindërit pranojnë gjykimin në Shqipëri, gjykata duhet të verifikojë kushtet e juridiksionit dhe interesin më të lartë të fëmijës. Vendimi njësues nr. 00-2025-4900 (621), datë 22.12.2025
Nëse një gjykatë e huaj e ka zgjidhur tashmë martesën, pika e nisjes është vendimi i huaj dhe dokumenti që provon se ai ka marrë formë të prerë. Kur synoni të përditësoni gjendjen civile në Shqipëri, shqyrtohet procedura e njohjes së atij vendimi. Si bëhet njohja e divorcit të huaj në Shqipëri
Banesa dhe shpenzimet gjatë gjykimit
Nëse fëmija ka nevojë për mbështetje tani ose familja duhet të vazhdojë të përdorë banesën, mund t’i kërkoni gjykatës masa të përkohshme gjatë procesit. Mund të kërkoni edhe pjesëtimin e pasurisë së përbashkët. Kur shqyrtimi i saj e vështirëson divorcin, gjykata e veçon këtë kërkim. Nëse ka dhunë ose kërcënim, mund të kërkoni urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje pa pritur divorcin. Kodi i Familjes, nenet 138–139 · Ligji nr. 11/2026, neni 37
Kostoja dhe hapat pas vendimit
Tarifa gjyqësore e publikuar për padinë për zgjidhje martese është 3 000 lekë. Honorari i avokatit, përkthimet, njoftimet jashtë shtetit dhe shpenzimet për ekspertët llogariten veçmas sipas rastit. Personat që plotësojnë kushtet ligjore mund të kërkojnë avokat falas dhe përjashtim nga tarifat e shpenzimet gjyqësore. Tarifat gjyqësore · Ndihma juridike dytësore
Afati i zakonshëm i ankimit është 15 ditë, duke filluar nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar. Pasi vendimi merr formë të prerë, gjykata ia dërgon gjendjes civile për regjistrim. Merrni një kopje të vendimit me shënimin e formës së prerë dhe kontrolloni certifikatën tuaj të përditësuar. Kodi i Procedurës Civile, nenet 443–444 · Kodi i Familjes, nenet 143–144
Për një konsultë me Avokatim, na shkruani ku jeton secili bashkëshort, nëse jeni të dy dakord dhe, nëse keni fëmijë të mitur, ku jetojnë ata. Me këto të dhëna ju orientojmë për gjykatën, dokumentet dhe hapat e rastit tuaj.
WhatsApp +355 69 33 66 999 · Email [email protected] · Zyra Rruga Qemal Stafa, përballë Qendrës së Gjuhëve të Huaja Lincoln, Tiranë.