location-icon Rr.Reshit Petrela,Pranë Postës Shqiptare,Tiranë

Përfaqësimi ligjor

Sipas Kodit Civil të R.SH përkatësisht neni 64 me nocionin e përfaqësimit do të kutojmë: “Me përfaqësimin një person (përfaqësuesi) kryen, brenda tagreve që i janë dhënë nga ligji, nga prokura ose nga gjykata, veprime juridike në emër e për llogari të një personi fizik ose juridik tjetër (i përfaqësuari)” .
Përfaqësimi ligjor rrjedh shprehimisht nga vetë përmbajtja e normave juridike, të cilat u japin mundësinë disa subjekteve të caktuara që të përfaqësohen përpara gjykatës, në mënyrë të detyrueshme nga persona të përcaktuar me ligj. Në procesin civil është detyrë e gjykatës që të kujdeset për plotësimin e kërkesave të ligjit që vijnë nga një përfaqësim i tillë, por edhe avokati ka detyrimin e tij që të verifikojë ose të kërkojë përmbushjen e një detyrimi të tillë ligjor. Përpara se çështja të përgatitet për gjyq, avokati këshillon paraprakisht klientin e tij që të bëjë kujdes që kërkesat që vijnë nga përfaqësimi i detyrueshëm të jenë përmbushur sipas kritereve të ligjit. Të miturit që nuk kanë mbushur moshën 14 vjeç janë të detyruar që në veprimet juridike që ata mund të kryejnë, përveç atyre që u përshtaten moshës së tyre, duhet të jenë të përfaqësuar nga përfaqësuesi i tyre ligjor, që është prindi ose kujdestari në rast se është vendosur një i tillë. Kjo ka vlerë edhe kur ata mund të jenë palë në gjyq si paditës apo të paditur dhe kërkojnë që të përfaqësohen me avokat. Në këtë rast përfaqësimi tyre jo vetëm që është i detyrueshëm nga përfaqësuesi ligjor, por edhe mbrojtja me avokat duhet të realizohet duke respektuar së pari, rregullat mbi përfaqësimin e detyrueshëm dhe pastaj ato mbi përfaqësimin vullnetar.
Gjatë procesit civil mbrojtja me avokat e palëve në proces, mund të kalojë në disa faza dhe në disa mënyra. Përgjithësisht praktika tregon se në çështje të rëndësishme palët i drejtohen një avokati për t’u këshilluar dhe më tej për t’u përfaqësuar e mbrojtur përballë institucioneve shtetërore apo gjykatës. Mënyra se si avokati e administron këtë proces është shumë e rëndësishme dhe duhet kuptuar drejt. Kjo pasi në këtë proces përfshihen, jo vetëm çështje të karakterit administrativ por mbi të gjitha ky proces ka si parësorë norma të ligjit procedural dhe material që ndikojnë drejtpërdrejt në interesin e klientit dhe në cilësinë e mbrojtjes. Kodi Civil (nenet 6-10), parashikon rregulla të qarta që duhen respektuar në përfaqësimin e detyrueshëm, dhe kjo lidhet me konceptin e zotësisë për të vepruar. Kështu që personat me zotësi të kufizuara për të vepruar apo zotësi juridike, apo personat që për shkak të kufizimit të zotësisë juridike apo heqjes së saj me vendim gjyqësor të formës së prerë, duhet të përfaqësohen nga përfaqësuesit ligjor.
Faza e parë që avokati duhet t’i kushtojë rëndësi, është ajo e krijimit dhe administrimit të raporteve me klientin. Kjo fazë konsiston në kuptimin e problemit juridik që ka klienti, mënyra se si do ti jepet përgjigje për problemin që klienti ka dhe si do të vendoset në lidhje me pagesën që klienti do duhet të kryej për çështjen konkrete. Avokati pas marrjes përsipër të çështjes do të duhet që ta veshi këtë marrëdhënie me anë të një akti juridik , që në përditshmëri njihet si kontratë për shërbime juridike apo kontratë porosie e rregulluar nga neni 913 e vijues i Kodit Civil të R.SH. Në fazën vijuese nis studimi më i thellë i çështjes ku përfshihen: mbledhja e provave, përgatitja e opinionit për klientin apo padisë në rastin kur është vendosur së bashku me klientin që çështja duhet zgjidhur në gjykatë.
Bazuar në: Ligjin Nr. 7850, dt 29.07.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.